Zëvendësministri Hasani në takim me ministrat e Mbrojtjes të Nismës SHBA-Karta e Adriatikut

Zëvendësministri i Mbrojtjes Bashkim Hasani, së bashku me ministrat dhe krerët e delegacioneve nga shtetet anëtare të SHBA-Kartës së Adriatikut (A-5), Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Shtetet e Bashkuara, si dhe delegacione nga vendet vëzhguese: Kosova, Sllovenia dhe Serbia marrin pjesë në takimin e rregullt të nismës A-5 të mbajtur në Split të Republikës së Kroacisë.

Në takim, zëvendësministri Hasani theksoi nevojën për të vazhduar në rrugën e bashkëpunimit rajonal, si rrugë drejt sigurisë dhe stabilitetit ndërkombëtar. Ai shtoi se aktivitetet në kuadër të nismës si stërvitjet dhe trajnimet e përbashkëta, ndërtimi i mekanizmave dhe mjeteve të përbashkëta për të parandaluar dhe përballuar sfidat dhe kërcënimet e sigurisë si sulmet kibernetike, lufta hibride, menaxhimi i dezinformatave dhe ndryshimet klimatike do të kontribuojnë në ndërtimin e elasticitetit në shoqëritë tona.

Hasani theksoi se kjo nismë është një mjet i shkëlqyeshëm për integrime të suksesshme euroatlantike, dhe anëtarësimi ynë në NATO dhe bashkëpunimi me partnerët në rajon kontribuoi më tej në forcimin e aftësive mbrojtëse të shoqërive tona. Ai theksoi se Maqedonia e Veriut mbështet politikën e dyerve të hapura për të gjitha vendet aspirante që ndajnë vlerat euroatlantike dhe ripohoi mbështetjen e Maqedonisë së Veriut për aspiratat euroatlantike të Kosovës.

Në margjinat e takimit, zëvendësministri Hasani ka zhvilluar një takim dypalësh me ministrin e Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, Armend Mehaj.

Gjatë takimit, u diskutuan sfidat aktuale të sigurisë si një shtysë për bashkëpunimin e zgjeruar të mbrojtjes, bashkëpunimin e mëtejshëm në pandeminë post-COVID-19 dhe trajtimin e kërcënimeve hibride, si dhe mundësitë për pjesëmarrje të përbashkët në të ardhmen në misionet ndërkombëtare të udhëhequra nga NATO dhe u diskutuan operacionet, promovimi i politikës së dyerve të hapura, si dhe e ardhmja e integrimit euroatlantik të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Nisma e SHBA-Kartës së Adriatik u krijua me nënshkrimin e Kartës së Partneritetit SHBA-Shqipëri, Kroaci dhe Maqedoni në Tiranë në 2003. Në vitin 2009, Mali i Zi dhe Bosnja dhe Hercegovina iu bashkuan nismës, duke i dhënë iniciativës formatin A-5.

Qëllimi i nismës janë aktivitete të përbashkëta dhe të koordinuara për përmbushjen më të shpejtë të kritereve dhe standardeve të NATO-s, promovimin e bashkëpunimit në EJL dhe zhvillimin e ngjarjeve që synojnë ndërtimin e paqes, demokracisë, stabilitetit dhe prosperitetit në rajon. Aktivitetet e nismës synojnë forcimin e bashkëpunimit të ndërsjellë, rritjen e aftësive dhe kapaciteteve mbrojtëse, pjesëmarrjen e përbashkët në stërvitje dhe trajnime, operacionet dhe misionet e NATO-s, bashkëpunimin ndërmjet qendrave rajonale të trajnimit, si dhe promovimin e politikës së dyerve të hapura në A-5 për vendet vëzhguese dhe vendet tjera të rajonit që kanë orientim euroatlantik dhe synojnë anëtarësimin në Aleancën e NATO-s.

Други вести
Skip to content