Shekerinska – Peleshi: Bashkëpunimi i ngushtë i mbrojtjes dhe aleanca në NATO forcojnë sigurinë rajonale

Me ftesë të ministres së Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska, sot ministri shqiptar i Mbrojtjes, Niko Peleshi qëndron për vizitën e tij të parë zyrtare në Maqedoninë e Veriut.

Në takimin në Ministri, ministrat Shekerinska dhe Peleshi u pajtuan se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, si vende aleate në NATO, sot përballen me potencial dhe mundësi më të mëdha për zhvillimin e bashkëpunimit. Në këtë frymë, ministrat ranë dakord se duhet të inicohet një Marrëveshje e re dhe gjithëpërfshirëse e bashkëpunimit dypalësh, e cila do të mundësonte bashkëpunim edhe më intensiv dhe më të ngushtë në mbrojtje.

Ministrja Shekerinska tha se Maqedonia e Veriut beson fuqishëm në zhvillimin e mbrojtjes rajonale përmes bashkëpunimit të ngushtë dhe investimit në kapacitete specifike që do të kishin qenë në dispozicion të aleatëve.

„Mbrojtja e Zgjuar është mënyra më efektive dhe më e mirë përpara. Maqedonia e Veriut zhvillon kapacitete specifike që iu ofrojmë të gjithë aleatëve, dhe një prej tyre është Qendra Rajonale për Marrëdhënie me Publikun dhe Menaxhimin e Dezinformatave. Jemi të hapur për bashkëpunim të ngushtë në kuadër të trajnimit të përbashkët dhe edukimit ushtarak dhe po punojmë në intensifikimin e stërvitjeve ushtarake si mënyra më e mirë për zhvillimin e ndërveprimit në NATO”, tha Shekerinska.

Ministri Peleshi informoi se Akademia Ushtarake Shqiptare është në fazën e riorganizimit dhe zhvillimit sipas shembullit të shkollave ushtarake më të mira në botë. Dy ministrat ranë dakord që të mundësohet shkëmbimi i studentëve nga Akademitë Ushtarake të të dy vendeve.

„ Ne jemi fqinjë dhe aleatë. Shpresoj të intensifikojmë bashkëpunimin në mbrojtje dhe një sërë projektesh të përbashkëta. Komplementariteti është me rëndësi kyçe”, tha ministri Peleshi.

Shekerinska dhe Peleshi diskutuan edhe për integrimin e dy vendeve në Bashkimin Evropian dhe theksuan nevojën për hapjen sa më të shpejtë të negociatave si për Maqedoninë e Veriut ashtu edhe për Shqipërinë.

„Me bashkëpunimin tonë të sinqertë dypalësh, me pjesëmarrjen intensive në nismat rajonale, ne si shtete anëtare të NATO-s mbrojmë vlerat euroatlantike në rajon. “Bashkëpunimi ynë i mbrojtjes dhe ai aleat forcon sigurinë në rajon dhe dërgon një mesazh tjetër – vendi i Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në BE është i merituar”, tha ministrja, duke shtuar se vendet tashmë kanë dhënë rezultate, tani është radha e Unionit.

Ministrat Shekerinska dhe Peleshi diskutuan gjithashtu sfidat që vijnë nga ndryshimet klimatike dhe fatkeqësitë natyrore dhe ranë dakord që vendet duhet të llogarisin tek njëri-tjetri në kriza të tilla, sepse asnjë vend i vetëm nuk mund të zhvillojë kapacitete të mjaftueshme për t’iu përgjigjur shpejtë fatkeqësive në shkallë me përmasa më të mëdha.

Vizita zyrtare e ministrit shqiptar të Mbrojtjes zhvillohet vetëm një ditë pas takimit ministror të nismës rajonale SEDM dhe 15 ditë pas pjesëmarrjes së përbashkët të ministrave Shekerinska dhe Peleshi në mbledhjet e Këshillit të Atlantikut të Veriut të NATO-s. Kontaktet intensive në nivelin më të lartë mes dy vendeve tregojnë se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria janë jashtëzakonisht të përkushtuara për zhvillimin e bashkëpunimit dypalësh të mbrojtjes, i cili forcon sigurinë në rajon dhe bashkëpunimi është intensiv dhe aktiv si aleatë në Aleancë.

Други вести
Skip to content