Shekerinska nga Konferenca Finale e Integrimit ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe NATO-s: “Periudha jonë e testimit” në NATO ka përfunduar, kemi plotësuar kushtet për integrim të plotë ushtarak në Aleancë

„Me konferencën finale integruese ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe NATO-s, “periudha jonë e testimit” në NATO ka përfunduar. “Ne i kemi plotësuar kushtet për integrim ushtarak dhe jemi bërë anëtare e barabartë në të gjitha pjesët ushtarake të Aleancës”, tha ministrja e Mbrojtjes RadmilLa Shekerinska në Konferencën e sotme Finale të Integrimit, me të cilën përfundoi procesi i integrimit ushtarak të Maqedonisë së Veriut në NATO, filluar para dy vite e gjysmë kur është dërguar ftesa për anëtarësim.

Duke përgëzuar ekipin e ushtrisë dhe strukturës së mbrojtjes që me kolegët e NATO-s i realizoi të gjitha 193 detyrat e planit integrues, ministrja tha se integrimi i suksesshëm tregoi se Maqedonia e Veriut është një anëtare e besueshme e Aleancës që i qëndron fjalës dhe ka aftësi për të bërë atë për çka që merr për obligim.

„Kjo u bë e mundur vetëm falë aktivitetit të madh, energjisë së madhe, mundit dhe rezultateve të njerëzve në armatën tonë, por edhe në strukturën tonë të mbrojtjes, të cilët së bashku me kolegët e NATO-s realizuan fjalë për fjalë, pikë për pikë të gjitha 193 detyrat që ishin pjesë planit të integritetit tonë.”, tha ministrja. Ajo shtoi se ky është një proces për të cilin shumë menduan se do të zgjaste shumë, por që edhe në kushtet e një pandemie treguam se si vend i marrim përgjegjësitë tona seriozisht dhe me përgjegjësi.

„Ne i mohuam skeptikët në mënyrën më të mirë të mundshme, me rezultate, shumë punë dhe një epilog të dukshëm në fund, e ky është integrimi i plotë ushtarak i Maqedonisë së Veriut në NATO”, tha Shekerinska.

Detyrat që ishin pjesë e integrimit ushtarak i referoheshin akteve ligjore e nënligjore dhe doktrinave të reja, një organizim i ri, por në të njëjtën kohë një modernizim i strukturës dhe pajisjeve të Armatës. Ministrja theksoi se procesi zhvillimor vazhdon – janë planifikuar 22 projekte, disa prej të cilave janë përfunduar, disa të filluara, dhe disa prej tyre do të realizohen deri në vitin 2028.

„Përveç makinerive inxhinierike që tashmë kemi blerë, përveç mjeteve të këmbësorisë që janë në proces prokurimi dhe praktikisht po i paguajmë nga viti 2019, këtu ishte planifikuar armatim i ri, të cilin e kemi siguruar për këmbësorinë e lehtë, pajisje të reja për MABK që e kemi siguruar, mbrojtje të re balistike që e kemi siguruar. Procesi vijon me sigurimin e fondeve për artileri, pajisje kundërajrore dhe sigurisht pjesën që ka të bëjë me repartet e reja helikopterike, pajisjet që planifikojmë t’i prokurojmë nga viti 2024 e në vazhdim dhe investimi i vazhdueshëm në mbrojtjen kibernetike”, tha ministrja.

Zëvendës shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjenerali Azim Nuredin tha se gjatë kësaj periudhe dyvjeçare e gjysmë, Grupi i Punës për Integrim ka mbajtur disa Konferenca dhe Takime dhe vrulli i dhënë në fillim nuk u ndal, megjithëse pandemia globale ishte një sfidë gjatë gjithë procesit.

Koloneli Françesco Paçiljo nga NATO, kryetar i Grupit Punues për Integrim, përgëzoi integrimin e plotë ushtarak të Maqedonisë së Veriut në NATO dhe tha se të gjithë anëtarët e Grupit Punues kanë qenë jashtëzakonisht të përkushtuar dhe kanë dhënë një kontribut të fuqishëm në këtë qëllim të rëndësishëm.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjenerali Vasko Gjurçinovski dhe komandanti i Komandës së Aleancës për Transformim, gjenerali Filip Lavinj, nesër do të nënshkruajnë Deklaratën e Përbashkët me të cilën Maqedonia e Veriut edhe zyrtarisht do të integrohet në mënyrë të plotë ushtarakisht në Aleancën e NATO-s.

Други вести
Skip to content