Pasqyrim i manovrimeve të „gjalla“- Softuere për simulim dhe nevoja për softuer në armatat nëpër botë

Battlefield_3_2_1Simulimet e luftës, të njohura gjithashtu edhe me emrin lojëra lufte, janë simulime ku të gjithë teoritë, hipotezat dhe rezultatet e mundshme nga një aksion apo betejë e caktuar ushtarake mund të testohen dhe përmirësohen, pa pasur nevojë për të pësuar humbje. Vetë termi simulime të luftës mbulon një spektër të gjerë aktivitetesh, duke nisur nga stërvitjet në terren në shkallë të plotë deri në modele abstrakte të kompjuterizuara të cilat përfshijnë ndërveprim shumë të vogël njerëzor ose aspak (sistemi-RSAC). Nga mësimet e nxjerra nga përvojat e mëparshme, të dhënat më të rëndësishme gjithmonë merren nga vëzhgimet, dhe sipas këtyre të dhënave mbështeten edhe një numër i madh i teorive. Kjo rregull e pashkruar vlen edhe për simulimet e luftës. Analistët luftarak ndjekin stërvitjet në terren për të cilat ekziston mundësia të prezantohen në një skenar të vërtetë. Përmes analizave dhe vëzhgimeve ushtarake mund të konkludohet sa material, kohë dhe burime njerëzore do të ishin të nevojshme për të kryer një aksion të caktuar në kushte të përcaktuara paraprakisht. Rezultatet nga këto mbikëqyrje mund të shërbejnë si një matës për performimet me të cilat disponon një armatë dhe në pajtim me rezultatet, armata punon në perfeksionimin dhe përmirësimin e performansave. Pa marrë parasysh rezultatet nga simulimi, qëllimi i tyre kryesor nuk është që vetëm të testohen idetë ose modelet e reja, por të njoftojnë të gjithë pjesëmarrësit në vetë simulimin me një skenar real dhe t’i ndihmojnë që të fitojnë shkathtësitë e vërteta për menaxhim më të suksesshëm me problemet. Simulimet e luftës përfshijnë një spektër të gjerë të stërvitjeve dhe trajnimeve, duke u nisur nga stërvitjet në terren dhe deri tek simulimet kompjuterike në modele të ndryshme analitike. Realiteti i manovrimeve „të gjalla“ paraqitet përmes simulimeve abstrakte. Ushtrimet luftarake, të gjitha, qoftë edhe ato më të voglat, nuk janë gjithmonë të lehta për t’i performuar apo, nga ana tjetër të dëshiruara, për shkak se burimet njerëzore dhe financiare në shumicën e rasteve janë të kufizuara. Shpeshherë, alternativa me kosto më efektive për të testuar një teori të caktuar është kur shkalla e pjesëmarrjes së pjesëtarëve të armatës ulet në minimale. Ushtrimet me harta mund të zbatohen nga një oficer më i vjetër dhe nga planifikues, por pa lëvizje fizike të trupave. Ky lloj i stërvitjeve simuluese, edhe pse statik, përsëri merr ndonjë lloj komande nga njeriu. Rezultatet nga këto ushtrime mundësojnë pjesëmarrësit të formojnë supozime dhe pritje të paplota dhe jo të besueshme në llogari të shpenzimeve të zvogëluara dhe qasje më të madhe deri në kryerjen e vetë ushtrimeve. Me rritjen e mëtejme të pjesës abstrakte, vetë simulimi merr një mjedis që është i njohur për lojtarët civil të lojërave strategjike. Ky lloj simulimi mund të jetë manual, duke mos përfshirë fare apo shumë pak ndihmë nga kompjuteri. Supozohet se simulimet manuale janë përdorur që nga kohërat kur për herë të parë njeriu ka filluar të bëjë luftë. Shahu, gjithashtu, mund të konsiderohet si një lloj simulimi lufte. Si pararendës i simulimeve moderne luftarake konsiderohet i ashtuquajturi „kriegspiel“ (fjalë gjermane për lojë luftarake). Kjo lojë është shfaqur rreth vitit 1811 në Prusinë e atëhershme, dhe në shumë literature haset si elementi më meritor nga fitorja e Prusisë mbi Francën në vitin 1870. Si baba i simulimit modern konsiderohet Graf Helmuth von Moltke. Edhepse nuk është ai i cili ka zbuluar të ashtuquajturën „kriegspiel“, ka qenë shumë i impresionuar nga ajo, dhe si një nga oficerët kryesor të armatës së Prusisë, ka kërkuar përdorim strikt të kësaj loje luftarake si ndihmë parapërgatitore për luftë. Qoftë edhe sot, në këtë botë plotësisht të kompjuterizuar, rregullat nga simulimet e para manuale akoma ruhen, respektohen dhe zbatohen. Por, sido që të jetë, simulimet me asistim nga kompjuteri dhe ato simulime të cilat janë plotësisht të kompjuterizuara kanë përdorim të gjerë në armatat moderne. „Rand Corporation“ është njëri nga projektuesit më të njohur për softuer luftarak për armatën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kjo korporatë konsiderohet si pionier i simulimeve politiko-ushtarake. Simulimi i tyre SAFE (Strategic And Force Evaluation) është një shembull tipik i simulimit manual. Në këtë lloj të simulimit ka një apo më shumë lloje me nga dhjetë oficerë të cilët janë vendosur në hapësira të ndryshme dhe vendimet dhe lëvizjet e tyre vëzhgohen nga eprorët e tyre dhe nga persona plotësisht të pavarur. Simulimet, me asistim nga kompjuteri, janë një lloj vazhdimësie e simulimeve manuale. Në disa raste, kompjuteri në vetë simulimin nuk paraqet asgjë më tepër veç se një baze të thjeshtë të të dhënave e cila i ndihmon përdoruesit në grumbullimin e informatave dhe vendim marrjen për lëvizjet e ardhshme, ndërsa gjithashtu, ekziston edhe mundësia që një kompjuter të zëvendësojë një ose më shumë ekipe. Në raste kur simulimi është i kompjuterziuar krejtësisht, apo kundërshtarët të jenë kompjuterë, simulimi kryhet vetë në vete. Përparësia e këtyre simulimeve është se qasja në to është e lehtë, mund të zbatohen në çdo kohë dhe çdo vend, dhe nuk nevojiten pajisje të komplikuara për zbatimin e tyre. Me largimin e faktorit njeri nga simulimi, rezultati nga simulimi është aq i mirë sa është edhe vetë sistemi. Vlefshmëria e rezultateve nga simulimet krejtësisht të kompjuterizuara është vendimtare – të dhënat duhet të jenë të sakta dhe të përpunuara saktë nga vetë modeli. Në vazhdim të këtij shkrimi do të diskutohet për softuer konkrete për simulim, si dhe për përdorimin e këtyre softuerëve nëpër armatat në mbarë botën. Ndarja e simulimeve të luftës Simulimet e luftës, të njohura edhe me emrin lojëra lufte, janë simulime me ndihmën e të cilave mund të testohet dhe të avancohet një teori e caktuar në procesin e luftimit, pa pasur nevojë për të ekspozuar trupat ndaj armiqësive të vërteta. Në fotografinë 3 është shfaqur novelisti anglez H. G. Uells si performon një lojë ushtarake në hapësirë të mbyllur, duke përdorur maketet si mjete simulimi. Simulimet ushtarake mund të ndahen në disa klasa sipas disa kritereve, por më shpesh klasifikohen në mënyrën si vijon: – Simulime determinuese – ky lloj simulimi nuk përfshin variabla në modelimin e simulimit. Kjo nënkupton se përderisa disa herë përdoren të dhëna hyrëse identike gjatë simulimit, rezultatet e simulimit gjithmonë do të jenë identike. – Simulimet stokastike – përfshijnë variable të rastësishme gjatë modelimit, ndërsa në ndërkohë paraqiten edhe situata dhe ngjarje të rastësishme në kuadër të skenarit nga simulimi. Nga kjo del se, nëse simulimi kryhet disa herë me parametrat e njëjtë hyrës, rezultatet e çdo përpjekje do të dallojnë në pjesë të caktuara. Liderët ushtarak gjatë kryerjes së aktiviteteve të ndryshme ushtarake hasin në situata kur duhet shpejtë të sjellin një vendim të caktuar me rëndësi dhe me përgjegjësi. Shpeshherë, prej këtyre vendimeve varet edhe vetë rezultati i aktivitetit ushtarak, si dhe siguria e të gjithë pjesëmarrësve në aksion. Njëlloj si në shumicën e rasteve, është vështirë të identifikohet cili është faktori i vërtetë për sukses në situata të këtilla. Rrjedha e ngjarjeve dhe situatat e ndryshme që duhet të zgjidhen përmes sjelljes dhe zbatimit të një vendimi të rëndësishëm në kushte të aksioneve ushtarake, mund të gjenerohen dhe testohen nëpërmjet lojërave të luftës. Në këtë mënyrë, përmes lojës, ose edhe trajnimit, mund të identifikohen faktorët kyç më të mundshëm të cilët mund të çojnë në sukses gjatë konfliktit luftarak. Me ndihmën e lojërave të luftës, ose më mirë të njohura tek na me termin ushtrime ushtarake për komandë dhe shtab, bëhet trajnimi në procesin e udhëheqjes dhe komandimit në raport me qëllimet prioritare. Lojërat e luftës, në kuptim të qëllimit dhe objektivave të tyre, mund të ndahen në: 1. Ushtrime ushtarake të shtabit – më shpesh ushtrohen procedurat dhe rutinat e shtabeve, ndërsa në fokus të ushtrimit është edhe mënyra e punës sipas shtabit. 2. Ushtrime për sjellje të vendimeve – komandat dhe shtabet e tyre trajnohen për të përballur situata të ndryshme krize. 3. Lojra studimore– shfrytëzohen për të testuar apo vlerësuar organizata ose plane të caktuara ekzistuese ose të propozuara, veçanërisht në procesin para se të merret vendimi përfundimtar për zbatimin e tyre. Karakteristikë e përbashkët për të gjitha lojërat e luftës është ajo se për realizim e të plotë dhe të drejtë të tyre duhet të ekzistojë një grup i cili do të udhëheq me ushtrimin dhe do të kontrollojë performimin e saj. Ky grup kontrollues, gjithashtu është përgjegjës edhe për mbikëqyrjen e pjesëmarrësve në aksion, për caktimin e rregullave të lojës dhe për pajisjet ndihmëse që mund të përdoren në procesin e trajnimit (makete të terreneve, hartave, mjete për komunikim, mjete audio-vizuale). Megjithatë, krahas këtyre ngjashmërive, ekzistojnë edhe karakteristika të ndryshme që i dallojnë lojërat e luftës, si psh.: numri i personelit që mbështet realizimin e lojës ushtarake, burimet që shfrytëzohen, përkrahja teknike etj. Varësisht nga qëllimet e trajnimit, detyrat që duhet të zgjidhen, si dhe përbërja e grupit që trajnohet, duhet të përcaktohen detajet lidhur me përfaqësimin e forcave, sistemet e armatimit të cilat simulohen, përfaqësimi i vendit dhe faktorë tjerë të rëndësishëm. Lojërat e luftës mund të ndahen në tri llojet e mëposhtme: 1. Ushtrime grupore – këto lloje të lojërave të luftës kanë një numër të kufizuar të pjesëmarrësve dhe strukturë hierarkike. Me këto zgjidhen disa probleme që paraqesin një fragment të vogël nga i gjithë aksioni i luftës dhe këtu përdoret metoda e përgjithshme për simulim. Modelimi në këtë lloj të lojërave të luftës bëhet shpejtë dhe lejon fokusim të shpejtë në objektivat e ushtrimit. 2. Ushtrime të përgjithshme – kanë objektiva më të lartë dhe pjesëmarrësit janë persona të cilët i kryejnë detyrat që lidhen me objektivat të cilat duhet të realizohen përmes ushtrimit. Me këto ushtrime, pjesë të veçanta nga i gjithë aksioni luftues nuk simulohen në detaje, por bazohen në vërejtje të përgjithshme për rrjedhat e ngjarjes. 3. Ushtrime të detajuara – një lloj i ushtrimeve me ndihmën e të cilave realizohen qëllime më të ndërlikuara. Në to marrin pjesë një numër i madh i tërësive të organizuara, dhe në modelimin e niveleve më të ulëta të tyre organizative merren parasysh një numër faktorësh që ndikojnë në aksionet luftarake. Ky lloj i ushtrimeve kryhet në kohë reale. Aplikimi i lojërave të luftës në trajnimin ushtarak mund të konsiderohet në të gjitha nivelet brenda së cilës organizohet trajnimi ushtarak. Në këtë mënyrë do të fillohej nga shqyrtimi i nivelit individual, nivelit të komandës dhe trupave, dhe deri në nivelin komandues të shtabit të përbërjeve formative më të larta. Autorë: Prof. Dr. Zoran Gacovski Boban Krstev  

facebooktwittergoogle_plusredditpinterestlinkedintumblrmail