Zëvendësministri Maksuti në hapjen e takimit vjetor të Qendrave të Partneritetit për Trajnime dhe Edukim

Ministria e Mbrojtjes, në kuadër të së cilës ndodhet e vetmja qendër partnere e NATO-s për trajnim dhe edukim në vend, Qendra Rajonale për Marrëdhënie me Publikun, këtë vit për herë të parë ishte nikoqire e një takimi të grupeve punuese të qendrave partnere të NATO-s, i cili u hap sot, dhe do të zgjasë deri më 14 qershor.

Në hapje, zëvendësministri i Mbrojtjes Bekim Maksuti tha se ky takim pune realizohet në kohën e duhur me Maqedoninë e Veriut si një nikoqire, veçanërisht duke pasur parasysh se vendi ka nënshkruar protokollin e pranimit për anëtarësimin në Aleancë dhe procesi i ratifikimit në shtetet anëtare shkon me shpejtësi të jashtëzakonshme.

„Maqedonia e Veriut së shpejti do të jetë shteti i tridhjetë anëtar i Aleancës dhe Qendra Rajonale për Marrëdhënie me Publikun është një kapacitet unik që ne zhvillojmë dhe ua ofrojmë aleatëve. Kjo qendër është dhe do të jetë e një rëndësie të madhe për Aleancën, veçanërisht duke pasur parasysh se si aleatë dhe partnerë kemi të njëjtat qëllime – të jemi të hapur dhe transparentë për publikun”, tha zëvendësministri.

Maksuti shprehu bindjen se ky takim do të përmirësojë bashkëpunimin dhe dialogun midis të gjitha qendrave partnere, të cilat do të kontribuojnë në zhvillimin e gjithë rrjetit të 33 qendrave partnere për trajnim dhe edukim.

Në takimin e qendrave partnere, përveç përfaqësuesve të qendrave, ka edhe përfaqësues të lartë të Aleancës së NATO-s, nga Komanda e Përbashkët për Transformim, Shkolla e NATO-s në Oberammergau dhe Personeli Ndërkombëtar Ushtarak i NATO-S.

facebooktwittergoogle_plusredditpinterestlinkedintumblrmail