Me realizimin e suksesshëm të stërvitjes demonstruese përfundoi Kampusi Veror i dhjetë

Me stërvitjen demonstruese të 120 kadetëve dhe studentëve të vendit tonë dhe 11 vendeve partnere, sot në Poligonin Krivollak përfundoi edhe zyrtarisht projekti i dhjetë, jubilar i sigurisë dhe mbrojtjes ndërkombëtare, “Kampusi Veror 2019″.

Stërvitja demonstruese e pjesëmarrësve në Kampusin Veror përbëhej nga aktivitete që lidhen me detyrat për pjesëmarrje në një mision për të mbështetur paqen, trajtimin e turmave, luftën në vend të banuar, procedurën për trajtimin e mjeteve shpërthyese-minave, si dhe dhënien e ndihmës së parë të pasuar nga evakuimi mjekësor me helikopter dhe realizimi i marrëdhënieve me publikun në operacionet ndërkombëtare.

Zëvendësministri i Mbrojtjes, Bekim Maksuti, mirëpriti pjesëmarrësit e kampusit dhe u tha atyre të jenë krenarë për veten, për gjithçka që ata kanë mësuar dhe arritur gjatë dhjetë ditëve të fundit.

„Partneritetet që keni krijuar këto dhjetë ditë, gjithçka që keni mësuar dhe ndarë do të mbeten përgjithmonë në mendjet dhe zemrat tuaja. Miqësitë që keni krijuar midis kadetëve nga 12 vende dhe midis studentëve universitar do të jenë të përjetshme“.

Në mbyllje të Kampusit Veror morrën pjesë edhe Drejtori i Përgjithshëm i Shtabit të Përgjithshëm Zoran Milevski, Drejtori i Planifikimit të Mbrojtjes në Ministrinë e Mbrojtjes së Austrisë, gjeneral-majori Johan Frank si dhe Komandanti i TRIDOC në Kosovë gjeneral brigade Ilfete Spahiu.

Pjesëmarrës në kampus ishin kadetë dhe studentë nga Republika e Maqedonisë së Veriut, SHBA, Shqipëria, Bullgaria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Rumania, Gjermania, Kroacia, Republika Çeke dhe Norvegjia.

facebooktwittergoogle_plusredditpinterestlinkedintumblrmail