Shekerinska për vizitë zyrtare në Rumani: Mbështetje e fuqishme për fillimin e negociatave të pranimit me Bashkimin Evropian

Rumania është një mbështetëse aktive e Maqedonisë së Veriut për fillimin e negociatave të pranimit me Bashkimin Evropian. Kjo u konfirmua në takimet e sotme të Zëvendës kryeministres dhe ministre e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska me kryeministren rumune, Viorika Dançila dhe me ministrin e Mbrojtjes Kombëtare Gabriel Benjamin në Bukuresht.

„Maqedonia e Veriut me të drejtë shpreson që javën e ardhshme të fitojë datën e shumëpritur për fillimin e negociatave për anëtarësim në Union, jo sepse duam dhurata, por sepse e kemi merituar këtë. E vetmja mënyrë që vendi im të jetë një demokraci moderne, evropiane është që përqendrimi ynë të vihet në të ardhmen dhe prosperitetin e qytetarëve tanë,” tha Ministrja Shekerinska, e cila ndodhet për vizitë zyrtare në Rumani.

Kryeministrja Viorika Dançila uroi Shekerinskën për përparimin që Maqedonia e Veriut ka bërë drejt NATO-s dhe tha se Rumania mbështet aktivisht rrugën evropiane të vendit. Ajo ofroi ndihmë në hapjen e kapitujve në negociatat me Bashkimin Evropian dhe tha se hapja e negociatave do të ishte një impuls pozitiv për të gjithë rajonin.

Në një takim me homologun e saj rumun Gabriel Benjamin Lesh, Shekerinska tha që të dy vendet kanë një interes të sinqertë për thellimin e bashkëpunimit të mbrojtjes. Për vitin 2019, përmendi se janë planifikuar 16 aktivitete të përbashkëta që realizohen në kohë, dhe plani për vitin 2020 është në fazën e fundit të harmonizimit. Ky plan përfshin bashkëpunimin në arsimin ushtarak, trainimin e specialistëve dhe diskutimet e ekspertëve në fushën e mbrojtjes.

Ministri i Mbrojtjes Kombëtare, Lesh, tha se Rumania gjithmonë do të jetë një mike dhe aleate e besueshme Maqedonisë së Veriut, duke shtuar se ministren Shekerinska e uroi për hapat e përfunduar me sukses në pranimin e aleancës më të fuqishme ushtarake-politike të sotme, Aleancën e NATO-s.

„ Fakti që do të jemi 30 aleatë brenda NATO-s do ta bëjë Aleancën më të fortë, dhe sigurisht që do të kontribuojë në përmirësimin e mjedisit të sigurisë në Ballkan,”tha ministri Lesh.

facebooktwittergoogle_plusredditpinterestlinkedintumblrmail