Shekerinska me pjesëtarët e Armatës duke ndihmuar banorët vendor në Bratuçinë: Kjo është edhe një dëshmi se Armata është në shërbim të qytetarëve të saj

Ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska, sot vizitoi pjesëtarët e Armatës të cilët ndihmojnë në riparimin e pasojave të stuhisë në zonën e Prespës së Poshtme, fshatin Bratuçinë dhe zonën përreth.

„Armata jonë nuk është këtu vetëm kur bëhet fjalë për raste urgjente, por ajo ofron mbështetjen e saj dhe jep mbështetje në kriza të ndryshme, por edhe në trajtimin e problemeve reale me të cilat përballen autoritetet shtetërore dhe vendore”, tha ministrja, duke shtuar se kjo është arsyeja pse Armata gëzon besimin më të madh tek qytetarët.

Ministrja theksoi se ky është një shembull pse janë të rëndësishme investimet në Armatë, e cila është gjithmonë e gatshme për të ndihmuar popullsinë vendase.

„Kur themi se kemi nevojë për më shumë investime, më shumë para në ushtrinë tonë, në ushtarët tanë, për oficerët tanë për pajisjet e tyre dhe kushtet e tyre të punës, ne e kemi parasysh këtë. Ne nuk po e bëjmë atë për dikë tjetër – e bëjmë për veten tonë dhe për kapacitetet tona, sepse Armata është me të vërtetë një institucion që me të drejtë ka besimin më të lartë,” tha Shekerinska.

Ministrja informoi se ushtarët dhe oficerët e tyre, së bashku me ekipe të “Pyjeve Kombëtare” dhe SHA EVN, në pesëmbëdhjetë ditët e ardhshme do të riparojnë pasojat e stuhisë dhe do të eleminojnë rrezikun që mund të shkaktohet në këto vendbanime nga diga e krijuar nga pemë të thyera përgjatë lumit.

Pjesëtarët e Armatës u vizituan edhe nga gjenerali Pavle Arsoski, komandanti i Komandës së Operacioneve, gjenerali Zoran Mileski, drejtori i përgjithshëm i Shtabit të Përgjithshëm dhe kryetari i komunës së Resnjës, Zhivko Gosarevski, i cili falënderoi Armatën për mbështetjen e saj për popullatën vendase.

facebooktwittergoogle_plusredditpinterestlinkedintumblrmail