Shekerinska takohet me ministren franceze të mbrojtjes, Florens Parli: Bashkëpunim me intensitet të përforcuar

Në selinë e NATO-s në Bruksel, ministrja e Mbrojtjes Radmilla Shekerinska pati një takim të ndarë me homologen e saj franceze, Florens Parli.

Në takimin me ministren franceze, ministrja Shekerinska informoi për miratimin e Ligjit për Ratifikimin e Traktatit të Atlantikut të Veriut në Kuvend, si një nga hapat e fundit drejt anëtarësimit të plotë. Shekerinska shprehu kënaqësi që bashkëpunimi i mbrojtjes midis dy vendeve është intensifikuar, veçanërisht duke pasur parasysh përgatitjet për pjesëmarrjen e pjesëtarëve të Armatës në misionin evropian për trajnime në Republikën e Afrikës Qendrore, së bashku me pjesëtarët e Forcave të Armatosura Franceze.

Duke shprehur besim për suksesin e vendit tonë, ministrja Parli theksoi se guximi i treguar dhe mënyra e menaxhimit të politikave të zgjidhjes së problemeve duhet të jenë një shembull për të gjithë rajonin.

Në kontekst të fillimit të negociatave për anëtarësim në BE, ministrja Shekerinska kërkoi mbështetjen e Francës, duke pasur parasysh që një metodologji e re për negociatat e pranimit tashmë është prezantuar dhe e njëjta është mbështetur nga Maqedonia e Veriut.
„Nëse ka rregulla dhe kritere të rrepta para nesh, ne mund të arrijmë rezultate edhe më të mira,” tha ministrja Shekerinska në takim.

Takimet e Këshillit të Atlantikut të Veriut vazhdojnë edhe sot me një seancë kushtuar rritjes së buxheteve të mbrojtjes së shteteve anëtare të Aleancës. Gjatë ditës, ministrja Shekerinska gjithashtu do të marrë pjesë në takimin e vendeve kontribuese në misionin “Mbështetje e Vendosur” në Afganistan, do të zhvillojë takime bilaterale shtesë dhe do të ketë një drekë pune me ministrat e mbrojtjes së rajonit.

facebooktwittergoogle_plusredditpinterestlinkedintumblrmail