Shekerinska dhe Boshkoviq në Krivollak: “Goditja Vendimtare” përfundon me sukses, monitorimi tregoi se nuk ndot mjedisin, rindërtohet vija hekurudhore afër poligonit

Ministrja e Mbrojtjes Radmilla Shekerinska dhe ministri i Mbrojtjes i Malit të Zi, Predrag Boskoviq, sot në Poligonin Ushtarak Krivollak vizituan pjesëtarët e Armatës së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe ushtrisë së Malit të Zi, të cilët si pjesë të stërvitjes “Goditje Vendimtare” kryen gjuajtje artilerike me minahedhës.

Ministrat Shekerinska dhe Boshkoviq shprehën kënaqësinë e tyre me rrjedhën e stërvitjes, e cila filloi më 5 qershor dhe mbaron nesër, më 9 korrik.

„Kjo stërvitje do të jetë jo vetëm stërvitja më e madhe në vendin tonë, por padyshim një nga më të suksesshmet. Përkundër sfidës së madhe logjistike, arritëm të sigurojmë rezultate të mira si në organizim ashtu edhe në realizimin e stërvitjes”, tha ministrja Shekerinska.

Ministrja theksoi se si rezultat i kësaj stërvitje u bënë dy përmirësime dhe avancime në punën e Poligonit Krivollak – rindërtimi i vijës hekurudhore në poligon, i cili nuk është rinovuar që nga vitet e tetëdhjeta të shekullit të kaluar, si dhe kontrolli i vazhdueshëm i mjedisit jetësor gjatë kryerjes së stërvitjes.

„Në bashkëpunim me hekurudhat, kemi arritur të rinovojmë pjesën e hekurudhës që vjen në Krivollak, duke bërë të mundur që pjesa më e madhe e transportit të realizohet në të ardhmen me hekurudhë dhe jo përmes infrastrukturës së përgjithshme rrugore. Kjo është mirë për ushtrinë sepse jemi më efikas, por është e mirë edhe për vendin, sepse lirojmë vendin nga nevoja për përdorimin e infrastrukturës rrugore për të transportuar armë të këtilla. Shumica e automjeteve pas përfundimit të stërvitjes do të largohen përmes hekurudhës” tha ministrja.

Shekerinska informoi se gjatë matjeve të kryera të mjedisit jetësor së bashku me laboratorin “AMBIKON” të Universitetit në Shtip “Goce Dellçev” dhe Institutit për Shëndetësi Publike u konstatua se aktivitetet e stërvitjes nuk kanë shkaktuar pasoja të dëmshme ndaj natyrës dhe qytetarëve dhe shëndetit të tyre.
Monitorimi i mjedisit jetësor, tha ministrja, do të bëhet standard në kryerjen e stërvitjeve të këtilla.

Ministri malazez Boshkoviq përgëzoi vendin tonë për procesin e suksesshëm të anëtarësimit në Aleancë, momentin e shpejtë të ratifikimit dhe shprehu shpresën se deri në fund të këtij viti, shteti i 30-të anëtar do të ulet si anëtar i plotë i NATO-s në tavolinën e përbashkët të NATO-s.

Ministri Boshkoviq theksoi se i gjithë bashkëpunimi i mbrojtjes konfirmon interesat e përbashkëta dhe vlerat e përbashkëta. Për marrëdhëniet midis Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi, ai tha se mund të shërbejë si një shembull për shumë të tjerë në Ballkanin Perëndimor.

„Mali i Zi ishte një promotor bujar i interesave të Maqedonisë së Veriut kur bëhet fjalë për anëtarësimin në NATO dhe sot kam marrë dy studime nga kolegu im i cili tregon se nuk ka ndotje të mjedisit jetësor në hapësirën ku realizohet stërvitja, gjë që është shumë e rëndësishme për pasi gjithashtu kemi planifikuar të hapim një poligon dhe është me interes të madh publik,” tha Boshkoviq.

Profesori Dejan Mirakovski, prorektori i Universitetit “Goce Delçev” në Shtip dhe kreu i laboratorit për mjedisin jetësor dhe të punës, “AMBIKON” shpjegoi se monitorimi i përhershëm tregoi se nuk ka ndotje të mjedisit nga aktivitetet stërvitore.

„Monitorimi ishte permanent nga 30 maj deri më 30 qershor. Përqendrimet e grimca të ngurta të pezulluara u matën në kohë reale. Në përgjithësi, asnjë prej perimetrave të rezultateve nuk tejkalon normat e lejuara në vlerë 24-orëshe. Mesatarisht, ato shkojnë nga 20-30 mikrogramë për metër kub. Në një lokacion në kampin e ushtarëve ishte vendosur sepler gravimetrik që shërben për të kontrolluar përbërjen kimike të pluhurit. Të gjitha elementet inorganike janë analizuar – do të thotë pluhur tipik, që korrespondon me origjinën gjeologjike të substratit në zonën e Krivollakut. Asnjë nga metalet e rënda nuk tejkalon nivelin e lejuar, madje në disa vende nuk shfaqen aspak,” shpjegoi profesor Mirakovski.

Stërvitja “Goditje Vendimtare” ku morrën pjesë më shumë se 2.700 pjesëtarë të ushtrive të gjashtë shteteve – Maqedonia e Veriut, SHBA, Shqipëria, Bullgaria, Lituania dhe Mali i Zi, përfundon nesër. Kjo stërvitje ishte një mundësi e madhe për zhvillimin e ndërveprimit të ushtrisë tonë me forcat e armatosura të vendeve pjesëmarrëse, të cilat janë gjithashtu anëtarë të Aleancës. Në të njëjtën kohë, vendi ynë, si nikoqire e stërvitjes dëshmoi se posedon përvojën dhe kapacitetin për organizimin e stërvitjeve të mëdha dhe komplekse, edhe atë në një poligon që ka të gjitha kushtet e nevojshme për kryerjen e këtij lloji të stërvitjeve në terren.

facebooktwittergoogle_plusredditpinterestlinkedintumblrmail