Shekerinska: Armata e gatshme të vihet në mbrojtje të qytetarëve, njësia e dytë pjesëtarë të Armatës u nis për në Dibër

Ministrja e Mbrojtjes Radmilla Shekerinska sot vizitoi pjesëtarët e Armatës në kazermat e Tetovës dhe së bashku me Shefin e Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral Vasko Gjurçinovski, përcollën njësinë e dytë që u nis për në Dibër nga kjo kazermë.

„Në përputhje me vendimin e qeverisë për të shpallur gjendje krizë në komunat Dibër dhe Qendra Zhupa dhe iniciativën e qeverisë, të cilën e ka miratuar Presidenti Pendarovski, Armata është e gatshme sot për të mbështetur autoritetet civile dhe Ministrinë e Brendshme. Sot jemi këtu në garnizon, në kazermën e Tetovës, ku ekuipazhi i dytë që niset për në Dibër është tashmë gati ”, tha ministrja, duke uruar Shtabin e Përgjithshëm dhe të gjitha komandat për reagimin e shpejtë.

„Vendimi u mor praktikisht nga Presidenti vonë në mbrëmje dhe menjëherë iu qas alarmimit dhe angazhimit të stafit drejt sigurimit të të gjithë logjistikës – ushqim, ujë. Sot, është bërë kontrolli i parë dhe vëzhgimi nga ajri në vijën ku do të vendosen trupat dhe tashmë është duke u zhvilluar transporti i një pjese të forcave tona. Ne jemi në dispozicion dhe si edhe më parë, dëshmojmë se Armata është një institucion në të cilin qytetarët me të drejtë besojnë dhe mund të llogarisin”, tha ministrja.

Shekerinska theksoi se reagimi i shpejtë i qeverisë ndaj masave kundër përhapjes së koronavirusit rezultoi i justifikuar, pasi falë efikasitetit numri i të sëmurëve nuk u përshkallëzua në mënyrë dramatike.

„Si Qeveri, ne do të vazhdojmë të marrim vendime që e vendosin shëndetin e qytetarëve në radhë të parë, dhe kështu, edhe pse Armata nuk duhet të jetë kurrë institucioni i parë që reagon, shpejt kërkuam edhe angazhimin ushtarak. Ne jemi duke i dhënë të gjitha burimet në dispozicion për të na ndihmuar të merremi me KOVID-19 sa më shpejt të jetë e mundur ” tha Shekerinska.

Ministrja falënderoi autoritetet shëndetësore dhe punonjësit e shëndetësisë për mundin e madh që ata kanë bërë në trajtimin e virusit, dhe u bëri thirrje qytetarëve të respektojnë rekomandimet dhe ndalimet.

„Thirrja që të gjithë ua dërgojmë qytetarëve është që të gjithë ta investojmë veten në këtë aksion. Së bashku mund ta mposhtim koronavirusin, por vetëm nëse u bindemi rekomandimeve, nëse u bindemi ndalimeve dhe bëjmë gjithçka për të mbrojtur veten dhe të dashurit tanë, dhe në këtë mënyrë tërë shtetin “, tha ministrja Shekerinska.

Ajo sqaroi se fokusi kryesor i angazhimit të Armatës në këtë kohë do të jetë kontrolli i vijës kufitare.

facebooktwittergoogle_plusredditpinterestlinkedintumblrmail