Kryeministri Spasovski, zëvendëskryeministrja dhe ministre e Mbrojtjes Shekerinska dhe ministri i Punëve të Jashtme Dimitrov dërguan mesazhe urimi me rastin e Ditës së NATO-s

Kryeministri i Republikës së Maqedonisë Veriore Oliver Spasovski, zëvendëskryeministrja dhe ministre e Mbrojtjes Radmilla Shekerinska dhe ministri i Punëve të Jashtme Nikolla Dimitrov dërguan urime me rastin e 4 Prillit, Ditës së NATO-s.

Në mesazhin e tij, kryeministri Spasovski theksoi se pas dekadash ëndërrimi, erdhi dita që edhe ne do ta shënojmë si anëtarë të plotë të NATO-s.

„Sot, ne mund të urojmë njëri-tjetrin për arritjen e qëllimit tonë strategjik dhe përmbushjen e angazhimeve të të gjithë brezave të kaluar. Falë vendosmërisë juaj, qytetarëve, angazhimit të kësaj qeverie, mosmarrëveshjeve të zgjidhura me fqinjët dhe reformave të vështira që kemi zbatuar, sot ne jemi pjesë e aleancës më të fortë politike dhe ushtarake në historinë e njerëzimit. Me ne, NATO numëron 30 vende. Ne jemi aleatë me më të fuqishmit në botë, qëndrojmë krah për krah, të përkushtuar ndaj sistemit të përbashkët të sigurisë kolektive”, tha kryeministri Spasovski.

Ai nënvizoi se tashmë jemi duke parë përfitimet nga anëtarësimi jonë në NATO. Ne jemi më të sigurt, më të qëndrueshëm dhe NATO na ndihmon të luftojmë koronavirusin, dhe shtoi se kur gjërat të kthehen në normalitet, do të vijnë edhe përfitime ekonomike më të mëdha.

„Jini të sigurtë sepse shteti është i sigurtë. Ne jemi NATO! ” Gëzuar dhe për shumë vjet Dita e NATO-s!”, thuhet në mesazhin urues të kryeministrit Spasovski.

Zëvendëskryeministrja dhe ministre e Mbrojtjes Shekerinska nënvizoi se në vitet e kaluara, çdo vit në këtë ditë ne ngritëm flamurin e NATO-s, si një shenjë e dëshirave tona.

„Sot kjo është një shenjë e suksesit tonë – flamuri i vendit tonë valon me flamujt e 29 vendeve të tjera, si një anëtar i Aleancës më të fuqishme. Ia dolëm mbanë. Pas 30 vitesh fjalime, premtime dhe shpresa. Këtë herë, në këtë sukses ne nuk ishim vetëm. Ecëm së bashku me shumicën dërrmuese të qytetarëve tanë, të cilët nuk u dorëzuan dhe nuk u gjunjëzuan, ” tha Shekerinska në mesazh.

Ajo shtoi se së bashku me aleatët tanë strategjikë SHBA, Turqia, Britania e Madhe, Gjermania, Italia, Norvegjia, dhe të gjithë të tjerët, si dhe me fqinjët tanë, ne jemi të bashkuar sot në luftën kundër koronavirusit.

„ Tashmë kemi aktivizuar instrumentin e NATO-s dhe do të marrim ndihmën që na nevojitet. Urime Dita e Aleancës! Së bashku jemi më të fortë! Së bashku do të kemi sukses! ”, tha Shekerinska në urimin e saj.

Ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov, me rastin e shënimit të 71-vjetorit të Aleancës, në mesazhin urues nënvizoi se Dita e NATO-s, nga 27 Marsi i këtij viti, është edhe dita jonë dhe ne e festojmë së bashku me 29 nga aleatët tanë.

„Në kushtet kur jo të gjitha çështjet në Ballkan janë të mbyllura, tashmë nuk eksiston asnjë pikëpyetje për shtetësinë tonë dhe kufijtë tanë! Popull maqedonas, të dashur bashkëqytetarë shqiptarë, turq, serbë, vllehë, romë, boshnjakë dhe të gjithë të tjerët: Urime për shtëpinë tonë të përbashkët, e cila tani është shumë më e sigurt. Të çliruar nga ky shqetësim, varet nga ne që ta rregullojmë dhe ta bëjmë më të suksesshëm, në mënyrë që të gjithë të jemi krenarë! “, tha ministri Dimitrov në mesazhin e tij.

„Do t’ia dalim! ”, tha ministri Dimitrov në mesazhin e tij urues, duke uruar ditën e formimit të Aleancës së NATO-s.

facebooktwittergoogle_plusredditpinterestlinkedintumblrmail