Shekerinska në sesionin e dytë të Këshillit të Atlantikut të Veriut: Maqedonia e Veriut si pjesë e forcës së KFOR-it bëhet shtyllë e sigurisë në rajon, pjesëmarrja në misionin në Afganistan vazhdon në përputhje me parimin e NATO-s “Së bashku brenda – Së bashku jashtë”

Ministrja e mbrojtjes Radmilla Shekerinska mori pjesë në takimin e dytë të punës së Ministrave të Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s, fokusi i të cilës ishte në misionet paqeruajtëse dhe operacionet dhe zbatimin e Rezolutës 1325 të KB – Gratë, Paqja dhe Siguria.

Në diskutimin për misionet paqeruajtëse dhe operacionet në Afganistan, Irak dhe Kosovë, ministrja e mbrojtjes Radmilla Shekerinska tha se Maqedonia e Veriut vazhdon të marrë pjesë në misionin “Mbështetje e Vendosur” në Afganistan dhe njoftoi se jemi në proces të përgatitjes për të dërguar një ekip kirurgjikal në bashkëpunim me Mbretërinë e Norvegjisë. Ajo shtoi se prania jonë në Afganistan do të rregullohet në përputhje me planet e tërheqjes së NATO-s mbi parimin “Së bashku brenda – Së bashku jashtë”.

Ministrja gjithashtu nënvizoi kontributin e ri të 44 pjesëtarëve të Armatës së Republikës së Maqedonisë së Veriut brenda forcës së KFOR-it në Kosovë, i cili do të rritet gjatë vitit të ardhshëm dhe numri i përgjithshëm do të jetë 180 ushtarë, nënoficerë dhe oficerë, ndërsa ky është një konfirmim i gatishmërisë së Armatës sonë për të investuar në paqen dhe sigurinë e rajonit.

Ministrat e mbrojtjes të NATO-s gjithashtu, me kërkesë të qeverisë Irakiane, kanë miratuar një direktivë mbi një mision të zgjatur jo-luftarak të NATO-s në Irak për të trajnuar dhe këshilluar forcat e sigurisë irakiane. Ministrja Shekerinska për këtë çështje tha se është planifikuar që Maqedonia e Veriut të marrë pjesë me pesë anëtarë në këtë mision, si pjesë e një ekipi trajnues mobil për trajnim dhe këshillim, në kuadër të iniciativës A5.

Pjesa e dytë e takimit të sotëm ministror iu kushtua shënimit të 20 vjetorit të miratimit të Rezolutës 1325 të OKB – Gratë, Paqja dhe Siguria, duke theksuar përparimin e madh të bërë në përfshirjen e perspektivës gjinore në të gjitha segmentet e veprimit të Aleancës dhe shteteve anëtare, por gjithashtu edhe në atë se nevojitet përmirësim i mëtejshëm. Gjatë këtij sesioni, ministrja Shekerinska informoi se Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut miratoi Planin Aksional të dytë Kombëtar për zbatimin e Rezolutës 1325, dhe tha se është e përkushtuar për të promovuar pozicionin e grave në mbrojtje, përmes një procesi gjithëpërfshirës dhe që nuk nënkupton vetëm një numër, por edhe pjesëmarrjen aktive të grave në mbrojtje. Zbatimi i Planit Aksional të dytë kombëtar nënkupton përmirësimin e kushteve të punës dhe rritjen e numrit të grave në mbrojtje dhe në të gjitha segmentet e shoqërisë, në çdo nivel.

Takimi tjetër i Këshillit të Atlantikut të Veriut të NATO-s në nivelin e ministrave të mbrojtjes do të mbahet në fillim të vitit 2021.

facebooktwittergoogle_plusredditpinterestlinkedintumblrmail