Ministrja Shekerinska sot dhe nesër në takim të ministrave të mbrojtjes të NATO-s përmes video konferencës

Ministrja e mbrojtjes, Radmilla Shekerinska, sot dhe nesër përmes një video konference do të marrë pjesë në takim të Këshillit të Atlantikut të Veriut të NATO-s, në nivelin e ministrave të mbrojtjes.

Ministrat e mbrojtjes të 30 aleatëve të NATO-s do të diskutojnë në sesionin e sotëm të Këshillit të Atlantikut të Veriut masat për të mbështetur përpjekjet civile për të parandaluar përhapjen e virusit KOVID 19 dhe solidaritetin aleat. Me sigurimin e paketës së NATO-s me vlerë 1.4 milion euro për 60 aparate për frymëmarrje dhe pajisje shtesë mjekësore, solidariteti aleat ndaj vendit tonë u konfirmua edhe një herë.

Ministrat e mbrojtjes do të diskutojnë përparimin në përpjekjet për të rritur buxhetet e mbrojtjes dhe për të ndarë barrën. Shifrat tregojnë se për shumicën e aleatëve, buxhetet janë rritur për gjashtë vjet rresht. Buxheti i mbrojtjes i Maqedonisë së Veriut mban të njëjtën trend. Kjo u konfirmua nga kryeministri Zoran Zaev gjatë një vizite në selinë e NATO-s në Bruksel këtë muaj, ku ai tha se ne mbetemi të vendosur për të rritur buxhetin e mbrojtjes dhe për të arritur 2% të PBV-së deri në vitin 2024.

Në takim, ministrat e mbrojtjes së NATO-s do të diskutojnë krijimin e një qendre hapësinore në Ramshtajn, Gjermani, për një komunikim më të mirë satelitor dhe ushtarak.

Nesër, sesioni i dytë i punës do t’i kushtohet misioneve të NATO-s dhe operacioneve paqeruajtëse në Afganistan, Irak dhe Kosovë. Maqedonia e Veriut vazhdon kontributin e saj në komandën kryesore të Misionit “Mbështetje e Vendosur” dhe në komandën e kryeqytetit, Kabul, në Afganistan, ndërsa së fundmi 44 pjesëtarët e parë të Armatës u dërguan brenda forcës së KFOR-it në Kosovë, gjë që e bën vendin tonë një shtyllë e paqes dhe sigurisë në rajon.

Ministrat e mbrojtjes do të diskutojnë gjithashtu zbatimin e planit të NATO-s për të zbatuar Rezolutën 1325 të KB – Gratë, Paqja dhe Siguria, 20 vjetori i së cilës festohet këtë muaj. Vendi ynë ka miratuar Planin e dytë Kombëtar të Veprimit për zbatimin e kësaj rezolute dhe i kushtohet përfshirjes së grave në mbrojtje, përmes një procesi gjithëpërfshirës dhe që përfshin jo vetëm numra, por edhe përdorim aktiv të kapaciteteve të grave në proceset e mbrojtjes.

facebooktwittergoogle_plusredditpinterestlinkedintumblrmail