Ministria e Mbrojtjes dhe Universiteti FON nënshkruan Memorandum Bashkëpunimi

„Qëllimi ynë është që me nënshkrimin e këtij Memorandumi të bëhen më të fuqishëm Ministria e Mbrojtjes dhe Universiteti FON, sepse ne ndajmë të njëjtin mendim se forca e një shteti, sidomos tek ushtritë e vogla dhe sistemet e vogla të mbrojtjes, janë njerëzit”, tha ministrja e mbrojtjes Radmilla Shekerinska në nënshkrimin e sotëm të Memorandumit për Bashkëpunim ndërmjet Ministrisë dhe FON, në ambientet e Universitetit.

Shekerinska theksoi se me pranimin në Aleancë edhe vendi ynë ka diçka për t’ju ofruar Aleatëve – burime njerëzore, si më parë në pjesëmarrje në misione dhe operacione të Aleancës, por edhe tani në kuadrin e funksionimit të sistemit të komandave të NATO-s. Ministrja theksoi se burimi kryesor do të jenë profesionistë me arsimim ushtarak, por gjithashtu se në fokus do të jenë edhe civilët të cilët, me trajnime shtesë ushtarake, mund të jenë pjesë e Armatës, një mundësi që është planifikuar sipas ndryshimeve në Ligjin për Shërbim në Armatë.

Me anëtarësimin në NATO, tha ministrja, vendi ynë do të duhet të ketë një mision të përhershëm të ekipuar me staf, por edhe të plotësojë rreth 20 pozita komanduese në Aleancë, një shifër që do të rritet në të ardhmen dhe për këtë arsye shteti duhet të vazhdojë të investojë në njerëz dhe aftësitë dhe burimet e tyre. Prandaj, shtoi ajo, vlerësojmë faktin se, si rezultat i Memorandumit të Bashkëpunimit, dy punonjës të Ministrisë në vit do të pranohen për studime pasuniversitare pa tarifa shkollimi.

„Ne e shohim këtë Memorandum Bashkëpunimi si vazhdimësi – në mënyrë të ngjashme kemi nënshkruar me Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Teknologjitë e Informacionit në Universitetin e Shkupit, dhe do të vazhdojmë edhe më tej ta bëjmë këtë. Në Ligjin për Shërbim në Armatë, parashikuam për herë të parë që Armata të sigurojë bursa për stafin e vet, në të ashtuquajturat fusha kritike të specializuara. Politika qeveritare dhe politika e mbrojtjes është të shohim anëtarësimin në NATO si një instrument për të organizuar gjërat në shtëpi më mirë, më me efikasitet dhe të krijojmë një sistem i cili vërtet bazohet në njerëz kompetent, të cilët do të vlerësohen në bazë të njohurive të tyre”, tha ministrja.

Drejtori i Universitetit FON, Sefer Canovski dhe rektori Nano Ruzhin theksuan se dija dhe shkenca janë gjithashtu një pjesë e sigurisë dhe se ky Memorandum Bashkëpunimi është një mundësi për zhvillim për të gjithë të rinjtë, të gjithë profesionistët e mbrojtjes.

Memorandumi përfshin bashkëpunimin e ekipeve eksperte dhe profesionale, përgatitjen e tezave master dhe doktoratë për projekte në fushën e mbrojtjes dhe punë të përbashkët në projektet e aplikimit. Ky Memorandum përfshin gjithashtu bursa studentore nga Ministria, bursa për staf pasuniversitar në Universitet, si dhe sigurimin e praktikës studentore për studentë me interes në Ministrinë dhe Sektorin e Mbrojtjes.

facebooktwittergoogle_plusredditpinterestlinkedintumblrmail