Ministrja Shekerinska në Bruksel: Takim i Këshillit të Atlantikut të Veriut, takime dypalëshe me ministrat e mbrojtjes të NATO-s

Ministrja Radmilla Shekerinska, dje dhe sot në Bruksel, merr pjesë në takimet ministrore të Këshillit të Atlantikut të Veriut në nivel të Ministrave të Mbrojtjes, për herë të dytë pas nënshkrimit të protokollit të pranimit për anëtarësimin e vendit tonë në Aleancë. Maqedonia e Veriut merr pjesë aktive në diskutimet mbi çështjet e rëndësishme globale. Në seancën e parë të takimit të ministrave të mbrojtjes, u fol për shpërfilljen e Marrëveshjes së Armëve Bërthamore me gamë të mesme nga Rusia.

Në takim, ministrat e mbrojtjes përsëri i kërkuan Rusisë të braktiste politikën e mospërfilljes së kësaj Marrëveshjeje , që është një nga shtyllat e sigurisë në kontinentin evropian.

Në deklaratën e tij, Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, Jens Stoltenberg, në emër të ministrave të mbrojtjes, theksoi se NATO përgatitet për një botë pa një Marrëveshje të këtillë të rëndësishme dhe si masa që do të ishin efektive pas 2 gushtit, nëse pozita e Rusisë nuk ndryshon , ai citoi stërvitjet ushtarake, mbrojtjen anti-raketore, dhe aktivitetet e survejimit dhe zbulimit.

Para takimit të Këshillit të Atlantikut të Veriut, ministrja Shekerinska bisedoi me ministrat e mbrojtjes të Spanjës, Margarita Robles Fernandez dhe të Holandës, Ank Bijleveld-Schouten. Të dy ministrat spanjollë dhe holandezë shprehën mbështetje të fuqishme për anëtarësimin e vendit tonë në Aleancë, ndërsa ministrja Shekerinska shprehu shpresën se proceset e ratifikimit në këto dy vende miqësore dhe partnere do të përfundojnë në një periudhë të shkurtër.

Në takimin me ministrin norvegjez të mbrojtjes Frank Bake-Jensen, Shekerinska falënderoi për ratifikimin e protokollit të pranimit në parlamentin norvegjez. Ministrja theksoi se shpresa dhe ambicia e vendit tonë, si dhe angazhimi i aleatëve për çështjen e ratifikimit, tregojnë se mund të përfundojë në kohë rekord, domethënë në dhjetor të këtij viti. Shekerinska dhe Bake – Jensen arritën në përfundimin se bashkëpunimi dypalësh i mbrojtjes midis Maqedonisë sëVeriut dhe Norvegjisë është në një nivel jashtëzakonisht të lartë dhe premtoi se ky bashkëpunim do të vazhdojë të zhvillohet si aleatë të Aleancës së NATO-s.

Takimi ministror vazhdon sot me dy seanca, njëra prej të cilave është dedikuar misionit të Aleancës në Afganistan, “Mbështetje e Vendosur”. Sot, do të zhvillohen takime bilaterale shtesë me ministrat e mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s.

Pas samitit, ministrja do të marrë pjesë në forumin prestigjoz të Brukselit, organizuar nga Fondi Gjerman Marshall, ku do të flasë në temën e inovacionit dhe qasjes së re ndaj sigurisë.

facebooktwittergoogle_plusredditpinterestlinkedintumblrmail