Festohet jubileu “25 Vjet Forca të Operacioneve Speciale”

Nën moton “Përkushtim dhe Profesionalizmi”, pjesëtarët e Regjimentit të Operacioneve Speciale (ROS) sot në kazermat “Ilinden” në Shkup u festua dita e njësisë dhe jubileu 25 vjet ” Forca të Operacioneve Speciale”.

Krahas ministres së mbrojtjes Radmilla Shekerinska, në ceremoninë ushtarake morën pjesë edhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral-nënkolonel Vasko Gjurçinovski, zëvendësministri i mbrojtjes Bekim Maksuti, zëvendës shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral-major Azim Nuredin, sekretari shtetëror në Ministrinë e Mbrojtjes Dragan Nikoliq, gjeneralët dhe komandantët e njësive të Armatës, ish komandantët e njësive speciale dhe mysafirë nga Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm.

Ministrja e mbrojtjes Radmilla Shekerinska dhe komandanti i regjimentit, gjeneral-brigade Metodi Haxhi Janev, në fjalimet e tyre para audiencës, shprehën fjalë miradije dhe mirënjohje për rëndësinë e kësaj njësie.

Ministrja Shekerinska në fjalën e saj theksoi: “25 vjet forca speciale në Armatë janë 25 vjet për të cilat vendi ynë ka punuar, dëshiruar, është përpjekur të bëhej anëtare e Aleancës. Jubileun e përbashkët e festojmë me suksese – suksese në regjiment, por edhe suksese në nivel shtetëror.

Në këtë jubile të madh duhet të jemi krenarë që më në fund kemi marrë vendin që na takon dhe për të cilin kemi luftuar për 25 vjet. NATO nuk është më Aleancë për të cilën dëshirojmë të përfshihemi. Ne jemi NATO. Ju jeni pjesëtarë të Armatës që është pjesë e NATO-s. Prandaj, është mirë në këto momente suksesi për vendin tonë të kujtojmë se prej ku jemi nisur dhe për sa kohë kemi arritur në këtë pikë kur mund të themi jo vetëm se qëllimi është aq afër, por që tashmë kemi arritur qëllimin.

Ju të nderuar pjesëtarë të ROS jeni njëra nga lidhjet më të rëndësishme në zinxhir që mundësoi këtë sukses. Ju, siç thoni, jeni gjithmonë dhe kudo të parët, ju, siç thoni, jeni gjithmonë një hap përpara, ju jeni udhëheqës të ushtrisë tonë, dhe sidomos në një jubile si ky kjo  duhet të theksohet”.

Gjeneral brigade Haxhi Janev u kthye në fillimet e formimit të forcave të operacioneve speciale, duke falënderuar të gjithë ish-pjesëtarët për përpjekjet që ata bënë për të ndërtuar njësinë. Ai gjithashtu theksoi se pjesëtarët e Regjimentit për Operacione Speciale janë të parët që zbatuan profesionalizmin dhe hapën rrugën për realizimin e anëtarësimit të plotë në NATO.

Në ceremoninë me rastin e ditës së njësisë, u ndanë shpërblime dhe masa stimuluese për pjesëtarët e mëparshëm dhe të tanishëm të njësisë për kontributin e dhënë në zhvillimin e njësisë dhe rezultatet e arritura në punë.

Para numrit të madh të mysafirëve të pranishëm, pjesëtarët e njësive speciale të ROS, me paraqitjen e tyre në rreshtim dhe defilenë solemne, dinjitetshëm treguan se kanë fituar me të drejtë reputacionin e njësisë më elitare të ushtrisë tonë në 25 vitet e fundit.

Në këtë ditë, 25 vjet më parë, për herë të parë në ushtri, u krijua një njësi për qëllime të posaçme nën emrin “Ujqërit”. Si një komandë e njësive speciale, ajo operonte nga 2002 në 2003. Në dhjetor 2003, njësia u ristrukturua në detashment për qëllime specijale, dhe nga nëntori i vitit 2006 u bë një ristrukturim i njësisë në Regjiment të Operacioneve Speciale, në përbërje të së cilës përfshihen Batalioni për Qëllime Speciale dhe Batalioni i Renxherëve.

facebooktwittergoogle_plusredditpinterestlinkedintumblrmail