Shekerinska në kremtimin e Ditës së Armatës: Ju e keni bërë të mundshme hyrjen, jini një Armatë krenare e një vendi anëtar të NATO-s

„Ju bëj thirrje të jeni krenar të gjithë pjesëtarët e Armatës, edhe të mëparshëm, edhe të tanishëm, sepse keni luajtur një rol kryesor në mundësimin e hyrjes në NATO. Tridhjetë vjet shpresë dhe pritje i kemi kthyer në rezultate. “Ne jemi bërë anëtari i 30-të i Aleancës dhe pjesë e aleancës më të fuqishme ushtarako-politike sot,” tha zëvendëskryeministrja dhe ministre e Mbrojtjes Radmilla Shekerinska në fjalën e saj në kremtimin qendror të 18 Gushtit, Ditës së Armatës.

„Dua të falënderoj edhe besimin që qytetarët më kanë dhënë për të marrë pjesë dhe për të përfunduar dy procese kryesore për vendin tonë: statusin e kandidatit për në BE, por tani mbi të gjitha anëtarësimin në NATO, shtoi Shekerinska.

Kur erdha në krye të mbrojtjes tre vjet më parë, nuk mundesha të pajtohem me gjendjen që hasa,” tha ajo. “Për të fituar anëtarësimin në NATO por edhe për të përmirësuar statusin e pjesëtarëve të Armatës, kemi përmbushur disa kushte. Rritje të buxhetit të Armatës më shumë se dy herë, rritje të pagave, pajisje të reja personale dhe luftarake, ligje të reja që do të mbështesin Armatën. “Kështu kemi arritur të bëhemi një anëtare e NATO-s,” tha Shekerinska.

Ministrja falënderoi Zyrën e Bashkëpunimit në Mbrojtje të SHBA-së për 26 vjet, siç tha ajo, një rrugë e përbashkët në arsim, trajnim dhe zhvillim të aftësive të Armatës, për të cilën Zyra Amerikane u vlerësua nga Presidenti Pendarovski me Urdhrin për Merita Ushtarake. Urdhër për Merita Ushtarake iu nda gjithashtu batalioneve të Komandës së Operacioneve dhe Batalionit për Mbështetje Mjekësore Ushtarake, të cilët ishin në ballë të krizës me kovid dhe me migrantët.

Në kremtimin e 28 vjetorit të Armatës së Republikës së Maqedonisë së Veriut fjalë rasti mbajtën edhe Presidenti Stevo Pendarovski dhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm Vasko Gjurçinovski, ndërsa morën pjesë kryeministri Oliver Spasovski, si dhe mysafirë të tjerë të lartë nga mbrojtja dhe diplomacia.

facebooktwittergoogle_plusredditpinterestlinkedintumblrmail