Një delegacion i NATO-s për vizitë pune në Ministrinë e Mbrojtjes

Ministrja e mbrojtjes Radmilla Shekerinska, sot në Ministri u takua me një delgacion nga NATO, i kryesuar nga Riçard Lakin, përgjegjës për Maqedoninë e Veriut në Sektorin për Politikë dhe Planifikim në NATO. Delegacioni ndodhet në vizitë pune dy ditore në Maqedoninë e Veriut në mbështetje të proceseve për zhvillim, reforma, transformim dhe integrim të vendit tonë në Aleancë.

Ministrja Shekerinska në takim theksoi se Ministria dhe Qeveria janë të përkushtuar në vazhdimin e reformave të definuara në Rishikimin Strategjik të Mbrojtjes, document kyç për zhvillimin e mbrojtjes. „Qëllimi ynë nuk është vetëm të përshpejtohet ratifikimi i protokollit të anëtarësimit, por edhe t’u konfirmojmë aleatëve se ne jemi partner të përkushtuar, dhe se do të vazhdojmë të punojmë dhe të sillemi si një aleat me të njëjtin përkushtim “, tha Shekerinska.

Ministrja falënderoi për ndihmën dhe mbështetjen në reformat e deritanishme dhe shprehu besimin se kjo mbështetje do të vazhdojë me të njëjtin sinqeritet edhe në hapat e ardhshëm për zhvillimin e mbrojtjes.

Shekerinska theksoi se cikli i fundit, por edhe dy ciklet e mëparshme të zgjedhjeve në vend, të realizuara në një mënyrë demokratike dhe evropiane, konfirmojnë vendimin e aleatëve se Maqedonia Veriore plotëson kriteret politike për anëtarësimin në Aleancë.

Kreu i ekipit, Lakin, theksoi se angazhimi për reformat vlerësohet shumë dhe se në dy vitet e fundit ka pasur progres të vazhdueshëm dhe rezultate të dukshme. Ai shtoi se ekipi i Aleancës do të vazhdojë të mbështesë reformat që janë të rëndësishme si tani, ashtu edhe në afat më të gjatë.

Gjatë vizitës, delegacioni nga Aleanca u takua me personelin kyç në Ministri dhe Armatë, të përfshirë në proceset aktuale për integrimin e Maqedonisë Veriore në NATO.

facebooktwittergoogle_plusredditpinterestlinkedintumblrmail