Armata aktivizohet në mbrojtje të qytetarëve nga përhapja e virusit KOVID 19

Pas vendimit të Qeverisë për të shpallur gjendje krize në një pjesë të territorit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, në komunat Dibër dhe Qendra Zhupa, për të trajtuar përhapjen e koronavirusit, ministrja e mbrojtjes Radmilla Shekerinska dhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm Vasko Gjurçinovski mbajtën takim mbi aktivitetet e mëtutjeshme dhe mënyrën e aktivizimit të Armatës për të mbrojtur qytetarët nga përhapja e virusit KOVID 19.

Është krijuar një ekip nga udhëheqja ushtarake dhe civile në Ministrinë e Mbrojtjes për të marrë pjesë në punën e Shtabit për Menaxhimin e Krizave si një organ operativ – ekspert që menaxhon veprimtaritë e këtij Plani Aksional për Parandalimin dhe Menaxhimin e Paraqitjes dhe Përhapjes së virusit korona në Dibër dhe Qendrën Zhupa.

Bazuar në vendimin e Presidentit të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Komandantit Suprem të Armatës, Stevo Pendarovski, pas paraqitjes së një situate krize në komunat Dibër dhe Qendrën Zhupa, Armata e Republikës së Maqedonisë së Veriut është përfshirë në mbështetjen e këtyre njësive të vetëqeverisjes lokale në përputhje me misionin e Armatës për të mbështetur popullsinë në rast sëmundjesh dhe epidemive më të mëdha.

Shtabi i Përgjithshëm i Armatës urdhëron angazhimin e njësive të Armatës bazuar në kërkesat specifike të shtabit të krizave nën juridiksionin e vetëqeverisjes lokale.

Armata është e angazhuar në mbështetje të Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Shëndetësisë për sigurinë dhe kontrollin e zonës së krizës dhe në mbështetje të Ministrisë së Brendshme për rritjen e sigurisë së kufirit shtetëror në rajonin e Dibrës. Udhëheqja ushtarake ka dhënë tashmë udhëzime për përgatitjen e njësive në zonën e përgjegjësisë që përfshijnë rajonet në të cilat është shpallur krizë.

Masat specifike, mënyra e angazhimit dhe përdorimit të burimeve të kërkuara do të bazohen në kërkesat dhe planet operative të Shtabit të Krizave në koordinim dhe bashkëpunim të plotë me të gjitha institucionet përkatëse të përfshira në këtë masë.

facebooktwittergoogle_plusredditpinterestlinkedintumblrmail