Ministrja Shekerinska nga Prilepi: mbrojtësit e vrarë afër Karpallëkut 18 vjet më parë janë heronjtë e vendit tonë

Ministrja e Mbrojtjes Radmilla Shekerinska, sot në monumentin e Karpallëkut në Prilep, vendosi lule të freskëta në kujtim të dhjetë të mbrojtësve, pjesëtarë të Armatës që dhanë jetën në vitin 2001, në afërsi të Karpallëkut, në autostradën Shkup – Tetovë.

Duke iu drejtuar familjeve të të ndjerëve dhe shumë delegacioneve që përkujtuan mbrojtësit e rënë, ministrja Shekerinska shprehu nderimet e saja për Sashon, Nanen, Brankon, Markon, Erdoganin, Ljuben, Darkon, Vebiun, Goranin dhe Pecen, për guximin dhe sakrificën e tyre, dhe i quajti ata heronjtë e vendit tonë.

“Veprat e tyre, fakti që ata dhanë gjithçka, përfshirë jetën e tyre, duhet të jenë një shembull për ne se si ta duam, respektojmë dhe mbrojmë atdheun tonë. Ne e vlerësojmë guximin dhe sakrificën e tyre. Këta dhjetë mbrojtës paguan çmimin më të lartë në një nga momentet më të vështira kur vendi ynë ishte në një udhëkryq dhe qëndronte midis luftës dhe paqes. Atëherë ne u përballëm me një tragjedi të vërtetë që mori shumë jetë, shumë familje la në zi, shumë qytetarë e ndjenë hidhërimin që na mësoi se paqja, stabiliteti dhe siguria nuk kanë çmim”, tha ministrja Shekerinska.

Shekerinska theksoi se vendi ynë ndryshon, por kujtimet mbeten. Sot, shtoi ministrja, kemi ardhur në një fazë kur themi se na nevojiten NATO dhe BE për të na ofruar siguri më të madhe, stabilitet më të madh. Me politikat dhe veprimet tona të brendshme duhet ta garantojmë këtë për qytetarët tanë, përfundoi ajo.

Një delegacion nga Ministria dhe Armata, i udhëhequr nga sekretari shtetëror, Dragan Nikoliq, paraprakisht vendosi lule të freskëta në pllakën përkujtimore pranë Karpallëkut.

Në Prilep, Ministrja Shekerinska vizitoi edhe kazermën “Mirçe Acev”, ku u takua me pjesëtarët e Armatës për të diskutuar kushtet në të cilat ata kryejnë detyrat e tyre.

facebooktwittergoogle_plusredditpinterestlinkedintumblrmail